*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase – redaktuar më 22:50, 14 tetor 2023 (UTC) ‡ Ndeshjet dhe golat me ekipin kombëtar të redaktuar më 22:50, 14 tetor 2023 (UTC)
Bernardo Mota Veiga de Carvalho e Silva (lindur më 10 gusht 1994) është një futbollist profesionist portugez i cili luan si mesfushor-sulmues ose anësor i djathtë për klubin anglez Manchester City dhe kombëtaren portugeze. Silva dallohet për krijueshmërinë e tij, driblimet, shkathtësinë dhe rezistencën, veti që e bëjnë atë një nga mesfusborët më të mirë në botë. Ai është konsideruar nga trajneri Pep Guardiola si një nga "lojtarët më të mirë" që "ai ka parë ndonjëherë".
Silva është produkt i akademisë së Benficës. Ai filloi të luante me ekipin B në vitin 2013 kurse një vit më pas u bë pjesë e ekipit të parë, duke luajtur vetëm disa minuta. Ai u huazua te Monaco në sezonin 2014–15. Pas huazimit, klubi francez e bleu përfundimisht lojtarin, i cili u bë një nga më të rëndësishmit në ekip. Pasi fitoi titullin e Ligue 1, Silva u transferua te Manchester City për 43.5 milion £. Ai fitoi kampionatin dhe Kupën e Ligës në sezonin e tij të parë në Angli, e cila u pasua nga një tripletë e titujve vendor në sezonin 2018–19. Ai u shpall Lojtari i Vitit 2019 i klubit si dhe ishte pjesë e Ekipit të Vitit të Premier Ligës. Pas kësaj, Silva ishte mes 30 të nominuarve për Topin e Artë. Në sezonin 2020–21, ai ndihoi ekipin të arrinte finalen e parë të Ligës së Kampioneve kurse dy vite më pas ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit që arriti një tripletë historike, përfshirë edhe trofeun e parë të Ligës së Kampioneve.
Silva e nisi karrierën e tij si pjesë e akademisë së Benficës. Në sezonin 2012–13, ai fitoi Kampionatin Portugez të të Rinjëve. Ai bëri debutimin e tij me Benficën B më 10 gusht 2013 në një ndeshje kundër Trofense në Segunda Liga.
Më 19 tetor 2013, Silva luajti ndeshjen e tij të parë me Benficën në fitoren 1–0 kundër C.D. Cinfães në raundin e tretë të kupës, duke u aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 80të. Përgjatë sezonit 2013–14, Silva u dallua me performancat e tij për ekipin B, duke fituar çmimin "Zbulimi i Vitit" i kampionatit. Po në atë sezon, Benfica fitoi kampionatin, kupën kombëtare dhe kupën e ligës; Silva luajti 31 minuta në 3 ndeshje.
Monaco
Më 7 gusht 2014, Silva i'u bashkua Monacos në formë huazimi për një sezon. Ai debutoi dhjetë ditë më pas në një ndeshje në tranasfertë kundër Bordeaux, duke zëvendësuar argjentinasin Lucas Ocampos në pjesën e dytë. Më 21 shtator, ai luajti ndeshjen e parë si titullar në fitoren minimale 1–0 kundër Guingamp. Më 14 dhjetor, Silva shënoi golin e parë me klubin në fitoren në shtëpi kundër Marseille.
Më 20 janar 2015, Benfica njoftoi se Monaco kishte blerë kartonin e Silvës për 15.75 milion €; lojtari firmosi një kontratë deri në qershor 2019 me klubin francez. Më 10 prill, Silva shënoi dopietën e parë në karrierë në fitoren 3–0 kundër Caen. Pas përfundimit të sezonit, ai e rinovoi kontratën me klubin edhe me një vit.
Më 18 tetor 2016, Silva shënoi golin e parë në UEFA Ligën e Kampioneve në barazimin 1–1 kundër CSKA Moskës në fazën e grupeve. Ai vazhdoi të zhvillonte performanca pozitive, duke shënuar një dopietë në fitoren 4–1 kundër Marseille më 15 janar 2017; kjo fitore e ngjiti Monacon në vendin e parë në Ligue 1. Dy javë më pas, ai shënoi një gol në minutat shtesë duke i dhënë ekipit barazimin 1–1 kundër kampionëve në fuqi të Paris Saint-Germain në Parc des Princes. Ai e mbylli sezonin me 8 gola dhe 9 asiste në kampionat dhe 11 gola dhe 12 asiste në 58 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Manchester City
2017–2021: Suksesi në Angli dhe finalja e Ligës së Kampioneve
Silva ra në syrin e trajnerit Guardiola dhe stafit të tij pas performancave të tij në dy ndeshjet e Ligës së Kampioneve kundër Manchester Cityt. Kjo gjë bëri që Guardiola të kërkonte transferimin e tij në klub, e cila u konfirmua nga City më 26 maj 2017. Lojtari u bashkua zyrtarisht me ekipin më 1 korrik. Shuma e transferimit nuk u zbulua zyrtarisht edhe pse media raportoi se klubi anglez pagoi 43.5 milion £ e cila mund të rritej më shumë në bazë të bonuseve.
Silva bëri debutimin e tij në Premier Ligë më 12 gusht duke u aktivizuar në minutat e fundit të fitores 2–0 në transfertë kundër Brighton & Hove Albion. Më 13 shkurt 2018, ai shënoi golin e parë në Ligën e Kampioneve për Cityn në fitoren 4–0 kundër ekipit zviceran Basel në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave. Tre javë më pas, ai shënoi golin e vetëm të ndeshjes vendimtare kundër Çelsit në Premier Ligë, duke i dhënë fitoren Cityt që tashmë kishte nevojë vetëm për tre fitore të tjera për t'a fituar matematikisht titullin kampion. Silva e fitoi menjëherë vendin e titullarit në ekip në sezonin e tij të parë në Angli, duke dhuruar vazhdimisht performanca pozitive. Ai e mbylli sezonin me 53 ndeshje në të gjitha kompeticionet – më shumë se çdo lojtar tjetër i ekipit – duke ndihmuar ekipin ta fitonte Premier Ligën me numër rekord pikësh (100) dhe Kupën e Ligës.
Silva luajti 51 ndeshje dhe regjistroi 13 gola dhe 14 asiste në të gjitha kompeticionet në sezonin 2018–19. Më 24 prill 2019, Silva shënoi një nga dy golat e fitores kundër Manchester United në Old Trafford, një fitore që e ngjiti Cityn në vendin e parë në kampionat. Përgjatë këtij sezoni, Silva u dallua sërisht për performancat dhe ndikimin e tij në ekip, duke luajtur në rolin e Kevin De Bruyne i cili humbi shumicën e sezonit për shkak të një dëmtimi. Si rezultat i kësaj, ai u përfshi në PFA Ekipin e Vitit sëbashku me katër lojtarë të tjerë të Cityt si dhe u shpall Lojtari i Sezonit i klubit.
Në sezonin 2019–20, Silva shënoi një tregolësh në fitoren 8–0 kundër Watford në kampionat më 21 shtator. Disa ditë më pas, ai u akuzua për rracizëm ndaj shokut të ekipit Benjamin Mendy pasi pëlqeu një postim në Twitter që e krahasonte pamjen e lojtarit me atë të një maskote reklamimi me lëkurë të errët; Mendy deklaroi se ai nuk ndihej i ofenduar. Federata Angleze e pezulloi portugezin me një ndeshje dhe e gjobiti me 50,000 £. Ata shtuan që postimi nuk kishte qëllim të ishte fyes apo rracist. Në tetor, ai ishte mes 30 të nominuarve për çmimin prestigjoz Topi i Artë.
Më 10 janar 2021, Silva shënoi një dopietë në fitoren 3–0 kundër Birmingham City në raundin e tretë të FA Cup. Dhjetë ditë më pas, ai shënoi golin e parë në kampionat për sezonin 2020–21 në fitoren 2–0 në shtëpi kundër Aston Villës. Më 24 shkurt, ai regjistroi golin e parë në Ligën e Kampioneve në fitoren 2–0 kundër Borussia Mönchengladbach në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave. Manchester City në fund arriti në finalen e Ligës së Kampioneve për herë të parë në histori, duke gjetur Çelsit në një finale të gjithën angleze; në finalen e luajtur në Porto, Silva luajti si titullar për 64 minuta me Cityn që u mposht 1–0.
2021–2023: Titujt rresht të Premier Ligës dhe Tripleta historike
Në nisjen e sezonit 2021–22, trajneri Guardiola deklaroi se Silva ishte një nga tre lojtarët që kishin kërkuar të largoheshin nga klubi. Ishte raportuar se lojtari ishte i pakënaqur në klub dhe se disa klube ishin të interesuar për të, përfshirë Atlético Madrid dhe Milan. Pasi nuk u largua nga klubi në merkaton e verës, Silva e nisi sezonin duke zhvilluar performanca të nivelit të lartë; ai ishte një nga më të mirët në fushë në fitoren 5–0 kundër Arsenalit, shënoi golin e vetëm në ndeshjen kundër Leicester City si dhe u shpall lojtari më i mirë në ndeshjen kundër Çelsit, duke bërë që Guardiola t'a etikonte si "një nga lojtarët më të mirë në botë". Për këto performanca ai u shpall lojtari i muajit i klubit nga tifozët për shtatorin dhe tetorin.
Më 6 nëntor, Silva shënoi në fitoren 2–0 kundër Manchester United në derbin e Manchesterit në Old Trafford. Tetëmbëdhjetë ditë më pas, ai u bë lojtari i parë në historinë e Ligës së Kampioneve që regjistronte një mesatare 100% të pasimeve të sakta, duke e arritur këtë në fitoren 2–1 kundër Paris Saint-Germain në fazën e grupeve; ai gjithashtu asistoi golin e brazilianit Gabriel Jesus dhe u shpall lojtari i ndeshjes. Kjo fitore e kualifikoi Cityn në raundin e 16-tave. Pas kësaj, ai u shpall sërisht lojtari i muajit, duke i bërë i pari në historinë e klubit që e fiton këtë çmim tre muaj rresht. Në raundin e 16-tave, Manchester City u përball me ekipin portugez Sporting CP, me të cilën Silva regjistroi dy gola dhe një asist në fitoren 5–0 në transfertë në ndeshjen e parë, duke u shpallur lojtari më i mirë sërisht.
Përgjatë sezonit 2021–22, Silva u aktivizua në disa pozicione të tjera përveç pozicionit të tij të zakonshëm. Ai u aktivizua si qëndër-sulmues (duke i shënuar Manchester Unitedit) dhe mesfushor-mbrojtës. Ai shënoi 13 gola dhe 7 asiste në të gjitha kompeticionet.
Më 17 maj 2023, Silva shënoi një dygolësh në fitoren 4–0 kundër Real Madridit në shtëpi në ndeshjen e dytë të gjysëm-finales së Ligës së Kampioneve. Manchester City u kualifikua në finalen e dytë evropiane në histori. Në finalen e madhe kundër Interit në Stamboll, Silva asistoi golin vendimtar të Rodrit në pjesën e dytë që i dha Cityt fitoren dhe trofeun e parë të Ligës së Kampioneve. Ata gjithashtu fituan Premier Ligën dhe Kupën FA, duke arritur tripletën kontinentale. Për performancat e tij në Ligën e Kampioneve, Silva u emërua në "Ekipin e Sezonit".
Më 23 gusht 2023, Silva firmosi një kontratë të re me klubin deri në qershor 2023.
Karriera ndërkombëtare
Në vitin 2013, Silva ishte pjesë e ekipit nën-19 që arriti gjysëm-finalet e UEFA Kampionatit Evropian. Ai u dallua gjatë turnamentit, duke u përfshirë në listën e dhjetë talenteve më të mira nën moshën 19 vjeç në Evropë nga një grup gazetarësh të UEFAs.
Më 31 mars 2015, Silva luajti ndeshjen e parë me ekipin e parë në humbjen 2–0 kundër Kepit të Gjelbër në një ndeshje miqësore. Dy muaj më pas, ai u thirr në ekipin nën-21 për UEFA Kampionatin Evropian 2015; në ndeshjen gjysëm-finale kundër Gjermanisë, Silva shënoi një nga golat e fitores 5–0. Në qershor 2016, Silva humbi mundësinë për të luajtur në UEFA Euro 2016 për shkak të një dëmtimi.
Silva mori pjesë në FIFA Kupën e Konfederateve 2017. Ai shënoi golin e parë në turnament në fitoren 4–0 kundër Zelandës së Re në fazën e grupeve. Portugalia u eliminua në gjysëm-finale nga Kili me penallti pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim pa gola. Ai humbi ndeshjen për vendin e tretë ku Portugalia fitoi 2–1 me Meksikës.
Silva ishte pjesë e 23 lojtarëve që u zgjodhën për të luajtur në FIFA Kupën e Botës 2018 në Rusi. Ai luajti katër ndeshje gjithsej, me Portugalinë që u eliminua në raundin e 16-tave nga Uruguaji.
Pas kësaj, Silva dhe Portugalia morën pjesën në edicionin e parë të UEFA Ligës së Kombeve. Ai luajti tre ndeshje në fazën e grupeve, duke shënuar në fitoren 3–2 kundër Polonisë. Në fazën finale të turnamentit, Silva asistoi golin e vetëm në ndeshjen finale kundër Holandës, duke ndihmuar Portugalinë të fitonte trofeun; ai gjithashtu u shpall lojtari i turnamentit.
Në qershor 2021, Silva luajti në UEFA Euro 2020; ai u aktivizua në të gjitha ndeshjet e Portugalisë e cila u eliminua në raundin e 16-tave nga Belgjika. Një vit më pas, ai ishte pjesë e 26 lojtarëve të thirrur nga Fernando Santos që do të luanin në FIFA Kupën e Botës 2022 në Katar. Silva ishte sërisht titullar në formacion, me Portugalinë që u eliminua në çerek-finale nga Maroku.
Profili i lojtarit
Silva është një organizator elegant, i shkathët, këmbë-majtë dhe me një fizik shtatshkurtër i cili është i aftë të luajë në disa pozicione në mesfushë dhe sulm: ai mund të luaj si anësor në të dyja krahët (edhe pse krahu i tij i preferuar është e djathta), si mesfushor qëndror, organizator i tërhequr, mesfushor-sulmues dhe sulmues i dytë. Në disa raste të rralla ai është aktivizuar në rolin e "numrit 9 fallco" (sulmues i fshehur) si dhe në rolin e anësorit të tërhequr.
Silva njihet më së miri për teknikën e tij, shkathtësinë, pasimin, kontrollin e topit, vizionin, krijueshmërinë dhe driblimet. Ai gjithashtu dallohet për kontributin në mbrojtje, aty ku ai lufton për të rifituar zotërimin e topit për të nisur aksione sulmuese. Silva ka reputacionin e një lojtari altruist me një personalitet të fortë, i cili preferon ndërtimin e aksioneve me shokët e skuadrës në vend të inkursioneve personale. Përveç aftësive si mesfushor dhe organizator, Silva gjithashtu është i aftë të shënojë gola.
Jeta personale
Anglishtja e Silvës është përshkruar si "e përkryer" nga media, kjo edhe falë prindërve të tij që vendosën t'a dërgonin në një shkollë anglisht-folëse në Lisbonë kur ai ishte gjashtë vjeç. Përveç anglishtes dhe portugalishtes, Silva flet frëngjisht dhe spanjisht. Kushurira e tij, Matilde Fidalgo, është gjithashtu futbolliste e cila luan me kombëtaren portugeze të grave; ajo gjithashtu ishte pjesë e Manchester Cityt në vitin 2019. Silva është tifoz i klubit portugez Benfica, me të cilën nisi karrierën. Më 1 korrik 2023, ai u martua me partneren e tij Inês Tomaz.
Statistikat e karrierës
Klube
Redaktuar më 8 tetor 2023
Ndeshjet dhe golat sipas klubit, sezonit dhe kompeticionit
^"IN FOCUS: BERNARDO SILVA". mancity.com (në anglisht). Manchester City F.C. 23 prill 2019. Arkivuar nga origjinali më 23 prill 2019. Marrë më 23 prill 2019.
^Stefano Chioffi (4 shkurt 2015). "Bernardo Silva, il Monaco lo riscatta per 16 milioni" [Bernardo Silva, Monaco acquires him outright for 16 million] (në italisht). Il Corriere dello Sport. Arkivuar nga origjinali më 6 tetor 2019. Marrë më 6 tetor 2019.
^"Bernardo Silva reveals his Man City goals" (në anglisht). Manchester Evening News. 6 gusht 2017. Arkivuar nga origjinali më 11 prill 2019. Marrë më 12 mars 2018. He speaks softly, earnestly and in perfect English – a skill picked up from studying in a British college in Lisbon from a young age and improved further (more importantly) when it was established that it was the only common language he shared with his French girlfriend.