*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase – redaktuar më 18:42, 2 tetor 2022 (UTC) ‡ Ndeshjet dhe golat me ekipin kombëtar të redaktuar më 17:43, 7 gusht 2022 (UTC)
Erling Braut Haaland (Håland; lindur më 21 korrik 2000) është një futbollist profesionist norvegjez i cili luan si sulmues për klubin anglez Manchester City dhe kombëtaren norvegjeze. Ai njihet për atleticizmin, shpejtësinë dhe finalizimin, si dhe konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë në botë.
Haaland nisi karrierën e tij me Bryne, fillimisht duke luajtur me ekipin e rezervave dhe më pas ekipin e parë. Në vitin 2017, ai u transferua te Molde ku do të luante për dy vitet e ardhshme (përfshirë edhe me ekipin rezervë). Në janar 2019, Haaland ju bashkua Red Bull Salzburg në Bundesligën Austriake, duke fituar dy kampionate dhe një kupë. Në dhjetor 2019, ai i transferua në Gjermani te Borussia Dortmund, duke fituar kupën në sezonin 2020–21. Në verën e vitit 2022, Haaland firmosi me Manchester Cityn në Angli.
Haaland ka fituar disa trofe individual dhe ka thyer disa rekorde gjatë karrierës së tij. Gjatë sezonit 2019–20 me Salzburgun, ai u bë adoleshenti i parë që shënon në pesë ndeshje rresht në UEFA Ligën e Kampioneve. Pas kësaj, ai u shpall golashënuesi më i morë në edicionin e sezonit 2020–21. Në vitin 2020, ai fitoi çmimin Golden Boy kurse në vitin 2021 u shpall lojtari i vitit në Bundesligë si dhe u përfshi në FIFA FIFPro World11.
Haaland ka përfaqsuar Norvegjinë në të gjitha kategoritë e moshave. Në Kupën e Botës nën-20 në vitin 2019, ai fitoi Këpucën e Artë pasi shënoi plot nëntë gola në një ndeshje, duke vendosur një rekord. Ai debutoi zyrtarisht me ekipin e parë në shtator 2019.
Jeta e hershme
Haaland ka lindur më 21 korrik 2000 në Leeds të Anglisë, kjo pasi babai i tij Alfie Haaland luante për Leeds United në Premier Ligë në atë kohë. Në vitin 2004, kur ai ishte vetëm tre vjeç, familja e tij u zhvendos në Bryne, e cila ishte qyteti i lindjes së prindërve të tij.
Përveç futbollit, Haaland luante edhe sporte të tjera, përfshirë handball, golf dhe track and field. Sipas disa raportimeve jo të konfirmuara, Haaland vendosi një rekord botëror për moshën e tij në kategorinë e kërcimit të gjatë kur ai ishte vetëm pesë vjeç, duke regjistruar distancën 1.63 metra në vitin 2006.
Karriera me klube
Bryne
Karriera futbollistike e Haaland nisi kur ai ishte vetëm pesë vjeç, duke u regjistuar në akademinë e klubit të Bryne. Në sezonin 2015–16, ai luajti për ekipin rezervë të Bryne dhe zhvilloi paraqitje mbreslënëse, duke regjistuar 18 gola në 14 ndeshje. Në maj 2016, Gaute Larsen u shkarkua si trajneri i ekipit të parë dhe u zëvëndësua nga trajneri i ekipit rezervë Berntsen, i cili u vendos përkohësisht në atë rol. Nën drejtimin e tij, Haaland luajti ndeshjen e parë si titullar, tre muaj para ditëlindjes së tij të gjashtëmbëdhjetë. Debutimi i tij erdhi në ligën e dytë norvegjeze (1. divisjon) kundër Ranheim më 12 maj.
Pasi kishte luajtur fillimisht si anësor, Berntsen filloi ta aktivizonte Haalandin si qëndër sulmues, i cili ishte roli i tij i preferuar. Pavarësisht se nuk shënoi në sezonin e tij të parë si profesionist, atij ju afrua një provë te klubi gjerman 1899 Hoffenheim, por në fund ai u transferua te Molde ku luajti nën drejtimin e trajnerit Ole Gunnar Solskjær. Haaland luajti gjithsej 16 ndeshje me Bryne.
Molde
Më 1 shkurt 2017, Molde njoftoi se kishte firmosur me 16-vjeçarin Haaland. Ai debutoi zyrtarisht me klubin e tij të ri më 26 prill në një ndeshje kupe kundër Volda TI, duke shënuar një nga golat e fitores 3–2. Debutimi i Haaland në Eliteserien erdhi më 4 qershor kundër Sarpsborg 08, duke u aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 71të; pasi mori një karton të verdhë vetëm një minutë pasi kishte hyrë në fushë, Haaland shënoi golin e fitores në minutën e 77të, duke regjistruar golin e parë në elitën e futbollit norvegjez. Goli i tij i dytë erdhi më 17 shtator në fitoren 3–2 ndaj Viking FK; pas përfundimit të ndeshjes, Haaland u kritikua nga shoku i ekipit Björn Bergmann Sigurðarson pasi festoi golin e tij para tifozëve të Viking. Haaland e mbylli sezonin e parë si lojtar i Moldes me katër gola në njëzet ndeshje.
Më 1 korrik 2018, Haaland shënoi katër gola në 21 minutat e para të ndeshjes ndaj Brann, duke i dhënë Moldes një fitore 4–0 ndaj një ekipi që vinte në këtë ndeshje si kryesues i kampionatit pa asnjë humbje. Pas ndeshjes, trajneri Solskjær krahasoi stilin e lojës së Haaland me atë të sulmuesit belg Romelu Lukaku, si dhe shtoi se klubi kishte refuzuar disa oferta për të. Në ndeshjen e rradhës një javë më vonë, Haaland vazhdoi me formën e tij të shkëlqyer duke shënuar edhe dy gola të tjerë, me Molden që arriti një fitore komode 5–1 kundër Vålerenga Fotball. Goli i tij i parë në kompeticionet evropiane erdhi më 26 korrik në një fitore 3–0 kundër Laçit në fazën kualifikuese të Ligës së Evropës. Haaland humbi tre ndeshjet e fundit të sezonit për shkak të një ndrydhje në kyçin e djathë të këmbës. Në fund të sezonit, ai u shpall "Zbulimi i Vitit" në Eliteserien. Haaland ishte gjithashtu edhe golashënuesi më i mirë i Moldes, duke regjistruar 16 gola në 30 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Red Bull Salzburg
Më 19 gusht 2018, Red Bull Salzburg njoftoi transferimin e Haaland në një kontratë pesë-vjeçare; transferimi do të zyrtarizohej më 1 janar 2019. Gazetari i The Athletic, Phil Hay, raportoi se para kësaj marrëveshje, Haaland ishte pranë transferimit te Leeds United. Ai debutoi zyrtarisht për klubin austriak më 19 shkurt në ndeshjen çerek-finale të kupës kundër Wiener Neustädter, si dhe shënoi golin e parë më 12 maj në fitoren 2–1 kundër LASK në kampionat. Më 19 korrik, Haaland shënoi tregolësh në suksesin 7–1 kundër SC-ESV Parndorf, kurse më 10 gusht regjistroi një tjetër tregolësh në një fitore 5–2 kundër Wolfsberger AC në kampionat. Më 14 shtator, ai shënoi një tjetër tregolësh në një tjetër fitore tenistike 7–2 kundër TSV Hartberg; kjo ishte ndeshja e gjashtë rresht ku Haaland kishte shënuar. Tre ditë më pas, Haaland bëri debutimin e tij në UEFA Ligën e Kampioneve, duke shënuar shënuar një tjetër tregolësh, i katërti gjithsej si lojtar i Salzburgut, në fitoren 6–2 kundër ekipit belg Genk në fazën e grupeve.
Në dy ndeshjet e rradhës në Ligën e Kampioneve, Haaland shënoi një gol kundër Liverpoolit në Anfield dhe dy të tjerë kundër Napolit, duke u bërë adoleshenti i parë pas Karim Benzemas në historinë e kompeticionit që shënon gol në tre ndeshjet e para. Pasi shënoi me penallti kundër Napolit, Haaland u bë adoleshenti i parë që shënonte në katër ndeshje rresht si dhe lojtari i katërt i çdo moshe që e arrin këtë gjë (pas Zé Carlos, Alessandro Del Pieros dhe Diego Costës). Ai më pas shënoi të tre golat e fitores 3–0 kundër Wolfsberger AC; ky ishte tregolëshi i pestë për Haaland në sezonin 2019–20 si dhe i dyti kundër Wolfsberger AC.
Më 27 nëntor, në ndeshjen e kthimit ndaj Genk, Haaland u aktivizua si zëvëndësues dhe shënoi në ndeshjen e tij të pestë në Ligën e Kampioneve. Me këtë gol, ai ju bashkua Del Pieros, Serhii Rebrovit, Neymarit, Cristiano Ronaldos dhe Robert Lewandowskit si lojtarët e vetëm që kanë shënuar në pesë ndeshje rresht në këtë kompeticion. Pavarësisht se Haaland shkëlqeu gjatë fazës së grupeve, Red Bulli nuk arriti dot ta kalonte grupin. Norvegjezi dështoi të shënonte në ndeshjen e fundit kundër Liverpoolit, e cila i mposhti austriakët 2–0 dhe konfirmoi eliminimin e tyre. Kjo ndeshje rezultoi të ishte e fundit për Haaland si lojtar i Salzburgut; largimi i tij u konfirmua më 29 dhjetor. Ai regjistroi gjithsej 29 gola me klubin, 28 prej të cilëve erdhën në gjysmën e parë të sezonit 2019–20.
Borussia Dortmund
Haaland ishte objektiv i Manchester United dhe Juventusit gjatë merkatos dimërore. Pavarësisht kësaj, klubi gjerman Borussia Dortmund njoftoi transferimin e tij më 29 dhjetor 2019, tre ditë para se merkatoja dimërore të hapej zyrtarisht. Haaland firmosi për katër vite kurse Dortmundi pagoi 20 milion € për shërbimet e tij.
2019–20: Sezoni debutues në Gjermani
Haaland bëri debutimin e tij më 18 janar 2020 në transfertën kundër Augsburgut, duke u aktivizuar si zëvëndësues. Ai shënoi plot tre gola në 23 minuta duke i dhënë ekipit një fitore 5–3. Ai u bë lojtari i dytë në historinë e Dortmundit pas Pierre-Emerick Aubameyang që shënon tre gola në debutimin në Bundesligë. Gjashtë ditë më pas, në ndeshjen e tij të dytë, Haaland u aktivizua sërisht si zëvëndësues në derbin lokal kundër 1. FC Köln, duke shënuar edhe dy gola të tjerë; i pari erdhi dymbëdhjetë minuta pasi kishte hyrë në fushë kurse i dyti dhjetë minuta më pas, me Dortmundin që fitoi lehtësisht me rezultatin 5–1. Këto gola e bënë Haalandin lojtarin e parë në historinë e Bundesligës që shënon pesë herë në dy ndeshjet e para, si dhe lojtari më i shpejtë që e arriti këtë gjë (56 minuta). Pavarësisht se kishte luajtur më pak se një orë, Haaland u shpall Lojtari i muajit i Bundesligës për janarin. Pas dopietës së shënuar më 1 shkurt kundër Union Berlinit, Haaland vendosi një tjetër rekord si lojtari i vetëm në historinë e kampionatit që shënon shtatë gola në tre ndeshjet e para.
Më 18 shkurt, Haaland shënoi të dy golat e Dortmundit në fitoren 2–1 kundër ekipit francez Paris Saint-Germain në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave të Ligës së Kampioneve. Ai arriti në kuotën e dhjetë golave në vetëm tetë ndeshje, duke llogaritur edhe golat e shënuar në fazën e grupeve me Salzburgun. Dortmundi u mposht në ndeshjen e kthimit në Paris me rezultatin 2–0 dhe u eliminua, duke shkaktuar eliminimin e dytë të Haaland për këtë sezon. Dy muaj më vonë, pas rifillimit të sezonit mes Pandemisë COVID-19, Haaland regjistoi golin e 10të sezonal në një fitore 4–0 kundër Schalke 04 më 16 maj. Më 20 qershor, Haaland shënoi të dy golat e fitores 2–0 kundër RB Leipzig që konfirmoi vendin e dytë në kampionat për Dortmundin si dhe kualifikimin në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Norvegjezi e mbylli sezonin 2019–20 me 44 gola në 40 ndeshje për Dortmundin dhe Salzburgun.
2020–21: Lojtari i Sezonit i Bundesligës dhe golashënuesi i Ligës së Kampioneve
Haalandi e nisi sezonin e ri me një dopietë në fitoren 3–0 të Dortmundit kundër Borussia Mönchengladbach në ndeshjen hapëse të Bundesligës më 19 shtator. Ai më pas shënoi në humbjen 2–3 kundër Bayern München në Der Klassiker për Superkupën e Gjermanisë më 30 shtator, si dhe i shënoi sërisht në takimin në kampionat më 7 nëntor, ku Dortmund u mposht sërisht 2–3. Më 21 nëntor, norvegjezi shënoi plot katër gola brënda 32 minutave në fitoren 5–2 kundër Hertha BSC. Me pesë gola të shënuar, Haaland u emërua Lojtari i Muajit i Bundesligës për muajin nëntor, duke e fituar këtë çmim për herë të dytë në karrierë. Haaland vazhdoi të thyente rekorde të tjera në Ligën e Kampioneve, duke shënuar gjashtë gola në katër ndeshjet e para të fazës së grupeve; dopieta e shënuar kundër Club Brugge më 24 nëntor e bëri norvegjezin lojtarin më të shpejtë që shënon pesëmbëdhjetë gola në këtë kompeticion, duke e arritur në vetëm dymbëdhjetë ndeshje të luajtura. Disa orë para fillimit të ndeshjes së pestë të Dortmundit në fazën e grupeve kundër Lazios më 2 dhjetor, klubi njoftoi se Haaland kishte pësuar një dëmtim në kofshë, që do ta mbante jashtë fushave për rreth një muaj.
Haaland u rikthye nga dëmtimi më 3 janar 2021 në ndeshjen kundër VfL Wolfsburg. Gjashtë ditë më pas, ai shënoi një dygolësh në suksesin 3–1 ndaj RB Leipzig, të cilën e pasoi me të tjetër dygolësh në humbjen 4–2 kundër Mönchengladbach më 22 janar. Më 17 shkurt, Haaland ishte protagonisti kryesor i fitores 3–2 kundër Seviljes në ndeshjen e parë të raundit të 16-tave të Ligës së Kampioneve, duke shënuar dy gola dhe asistuar të tretin. Ai më pas shënoi një dopietë brënda dhjetë minutave të para të ndeshjes kundër Bayern München në Allianz Arena më 6 mars, duke i dhënë Dortmundit një avantazh të përkohshëm. Në përfundim të pjesës së parë, u zbulua se Haaland kishte pësuar një dëmtim, duke bërë që të zëvëndësohej. Bayerni arriti të përmbyste rezultatin dhe të fitonte 4–2. Më këto gola, Haaland arriti në shifren e 100 golave si futbollist profesionist, një shifër e arritur në vetëm 146 ndeshje.
Haaland shënoi edhe dy gola të tjerë kundër Seviljes në ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampioneve, duke i dhënë ekipit një barazim 2–2 dhe kualifikimin në çerek-finale me rezultatin e përgjithshëm 5–4. Me vetëm katërmbëdhjetë ndeshje të luajtura, Haaland u bë lojtari më i ri dhe më i shpejtë që shënon njëzet gola në këtë kompeticion, si dhe lojtari i parë dhe i vetëm që shënon dy ose më shumë gola në katër ndeshje rresht. Në përballjen kundër Manchester Cityt në çerek-finale, Haaland asistoi golin e Marco Reus në ndeshjen e parë, por dështoi të shënonte në të dy ndeshjet, me Dortmundin që u mposht në të dyja rastet me rezultatin 2–1.
Pasi humbi dy ndeshje për shkak të një dëmtimi, Haaland u rikthye si titullar më 13 maj në finalen e Kupës së Gjermanisë kundër RB Leipzig; ai shënoi dy gola në fitoren 4–1 të Dortmundit, duke fituar trofeun e parë me klubin. Ai e mbylli sezonin me 41 gola në të gjitha kompeticionet, përfshirë 27 në kampionat. Ai u votua nga tifozët si Lojtari i Sezonit i Bundesligës, u shpall golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampioneve si dhe fitoi çmimin e sulmuesit më të mirë.
2021–22: Dëmtimet e shumta dhe sezoni i fundit me Dortmundin
Haaland e nisi sezonin 2021–22 me një tregolësh kundër Wehen Wiesbaden në raundin e parë të kupës më 7 gusht. Një javë më vonë, në ndeshjen hapëse të Bundesligës, Haaland shënoi dy gola dhe asistoi dy të tjerë me Dortmundin që arriti një fitore të madhe 5–2 kundër Eintracht Frankfurtit. Pavarësisht nisjes pozitive të sezonit, Haaland do të mungonte për diçka më shumë se dy muaj për shkak të një dëmtimi në kofshë. Ai u rikthye në aksion më 16 tetor në suksesin 3–1 kundër Mainzit, duke shënuar dy gola. Pak pas kësaj, Haaland pësoi një dëmtim në legen që e mbajti jashtë fushave për rreth dy muaj të tjerë. Rikthimi i tij ndodhi më 27 nëntor në ndeshjen e fituar 3–1 kundër Wolfsburgut, duke shënuar një gol. Ky ishte goli i tij i 50të në Bundesligë, duke u bërë lojtari më i ri që e arrin këtë shifër.
Më 10 maj 2022, Borussia Dortmund njoftoi se Haaland do të largohej nga klubi në përfundim të sezonit në drejtim të klubit të Premier Ligës, Manchester City. Katër ditë më pas, ai i dha lamtumirën klubit dhe tifozëve në Westfalenstadion para ndeshjes së fundit të Dortmundit kundër Hertha BSC. Në ndeshjen e tij të fundit si lojtar i klubit gjerman, Haaland shënoi dhe i dha fitoren Dortmundit me rezultatin 2–1.
Manchester City
Më 10 maj 2022, anglezët e Manchester Cityt njoftuan se kishin arritur marrëveshjen për transferimin e Haaland pasi kishin aktivizuar klauzolën e lirimit e cila ishte 60 milion €. Transferimi u zyrtarizua më 13 qershor dhe klubi njoftoi se Haaland do ti bashkohej ekipit më 1 korrik për nisjen e sezonit të ri; norvegjezi firmosi një kontratë pesë-vjeçare.
Haaland bëri debutimin e tij zyrtar më 30 korrik, duke luajtur 90 minuta të plota në humbjen 3–1 kundër Liverpoolit në FA Community Shield 2022. Më 7 gusht, ai shënoi dy gola në debutimin e tij në Premier Ligë në fitoren 2–0 në transfertë kundër West Ham United. Më 27 gusht, Haaland shënoi tregolëshin e tij të parë në Premier Ligë në fitoren 4–2 kundër Crystal Palace në Etihad Stadium, të cilën e pasoi me një tjetër tregolësh në fitoren 6–0 kundër Nottingham Forest katër ditë më pas. Ai u bë lojtari më i shpejtë që shënon dy tregolësha në Premier Ligë, duke e arritur këtë gjë në vetëm pesë ndeshje. Më 6 shtator, Haaland debutoi në Ligën e Kampioneve si lojtar i Manchester Cityt, duke shënuar dy gola në fitoren 4–0 kundër Seviljes në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve; ai u bë lojtari i parë në histori që shënon 25 gola në vetëm 20 ndeshje në këtë kompeticion.
Më 2 tetor, Haaland shënoi një tregolësh në fitoren 6–3 në shtëpi në derbin kundër Manchester United, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Premier Ligës që shënon tre tregolësha rresht në ndeshjet në shtëpi. Ai u bë gjithashtu lojtari i dytë në historinë e klubit (pas Francis Lee në vitin 1970) që shënon tregolësh në derbi.
Karriera ndërkombëtare
Të rinjtë
Haaland ka luajtur me të gjitha ekipet e moshave të Norvegjisë, nga ekipi nën-15 e deri në ekipin nën-21. Më 27 mars 2018, gjatë kohës që po luante me ekipin nën-19, Haaland shënoi një tregolësh kundër Skocisë, duke kualifikuar Norvegjinë në UEFA Kampionatin Evropian nën-19 2018. Gjatë turnamentit, Haaland shënoi me penallti në barazimin 1–1 kundër Italisë; ky ishte goli i tij i vetëm në këtë turnament.
Më 30 maj 2019, Haaland shënoi nëntë gola në fitoren rekord 12–0 të Norvegjisë nën-20 kundër Hondurasit në FIFA Kupën e Botës nën-20 2019 në Lublin të Polonisë. Disa rekorde u vendosën në këtë ndeshje: kjo ishte fitorja më e thellë e Norvegjisë nën-20 si dhe humbja më e madhe e Hondurasit. Haaland u bë lojtari që kishte shënuar më shumë gola në një ndeshje të vetme kurse kjo ishte fitorja më e madhe në historinë e Kupës së Botës nën-20. Pavarësisht se Norvegjia u eliminua në fazën e grupeve dhe Haaland nuk shënoi në dy ndeshjet e tjera, ai sërisht fitoi Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë i turnamentit.
Ekipi i parë
Haaland u thirr për herë të parë në ekipin e parë nga trajneri Lars Lagerbäck më 28 gusht 2019 për ndeshjet kualifikuese të Euro 2020 kundër Maltës dhe Suedisë; ai debutoi zyrtarisht më 5 shtator në takimin e parë ndaj Maltës. Goli i parë i Haaland me Norvegjinë erdhi më 4 shtator 2020 në humbjen 2–1 kundër Austrisë në UEFA Ligën e Kombeve B 2020–21. Tre ditë më pas, ai shënoi dy gola në fitoren 5–1 kundër Irlandës së Veriut. Më 11 tetor, Haaland shënoi tregolëshin e parë në futbollin ndërkombëtar në fitoren 4–0 kundër Rumanisë në Ligën e Kombeve B, duke shkuar në kuotën e gjashtë golave në gjashtë ndeshje me ekipin e parë.
Gjatë ndeshjeve të shtatorit 2021, Haaland shënoi pesë gola në tre ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022, përfshirë edhe tregolëshin e dytë për Norvegjinë në fitoren 5–1 kundër Gjibraltarit.
Profili i lojtarit
Stili i lojës
Haaland konsiderohet si sulmuesi më i mirë në botë dhe një nga lojtarët më të mirë në botë. Ai është konsideruar gjerësisht nga analistët si një sulmues i kompletuar. Haaland shfrytëzon gjatësinë dhe forcën fizike për të mbajtur zotërimin e topit dhe për të përfshirë shokët e skuadrës në aksionet sulmuese. Pavarësisht se është një sulmues zone, Haaland është aktiv në ndërtimin e aksioneve sulmuese, dhe është parë shpesh në mesfushë për të ndihmuar ekipin. Ai shquhet më së miri për aftësitë për të shënuar gol me të dyja këmbët si dhe me kokë. Në zonën e penalltisë, ai bën lëvizje të shpeshta dhe të shpejta për t'i krijuar hapësirë vetes për të marrë topin dhe t'i largohet mbrojtësve kundërshtar.
Haaland gjithashtu spikat në lojën me kurriz nga porta: ai shfrytëzon fizikun e tij për të ruajtur zotërimin e topit dhe për të tërhequr mbrojtësit kundërshtar, duke krijuar hapsira për shokët e tjetë të ekipit. Pavarësisht gjatësisë dhe peshës, Haaland është një futbollist shumë i shpejtë me top dhe pa top, duke qënë një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjet kundërshtare në kundër-sulme.
Haaland është djali i ish futbollistit norvegjez Alfie Haaland, i cili në të kaluarën ka luajtur si mbrojtës për klube si Nottingham Forest, Leeds United dhe Manchester City si dhe për kombëtaren norvegjeze, si dhe Gry Marita Braut, e cila në të kaluarën ka qënë atlete. Kushuriri i tij Jonatan Braut Brunes është futbollist dhe luan për klubin norvegjez Lillestrøm. Brunes u bë lojtari më i ri që luante një ndeshje për Bryne (15 vjeç, 9 muaj, 9 ditë) kur ai u aktivivua më 16 maj 2016 në një ndeshje kundër KFUM Oslos, duke thyer rekordin që Haaland kishte vendosur vetëm katër ditë më pas. Kushuri i tij i vogël, Albert Tjåland, është gjithashtu futbollist, i cili shënoi mbi 60 gola në më pak se 40 ndeshje me të rinjtë e Moldes. Në shkurt 2017, në një intervistë me gazetën norvegjeze Aftenposten, Haaland deklaroi se ëndrra e tij ishte të fitonte Premier Ligën me Leeds United. Më 30 gusht 2016, Flow Kingz publikuan bë YouTube këngën "Kygo Jo"; ky grup përbëhej nga Haaland dhe shokët e tij te Norvegjia nën-18, Erik Botheim dhe Erik Tobias Sandberg. Që nga publikimi, kënga ka më shumë se 8.2 milion shikime dhe më shumë se 250,000 pëlqime.
Haaland ka deklaruar se atij i pëlqen meditimi. Pasi shënoi për Dortmundin kundër Paris Saint-Germain në Ligën e Kampioneve në shkurt 2020, ai festoi duke kopjuar pozën "zen", një tregues që ai praktikon meditimin. Dortmundi do të eliminohej nga francezët në atë përballje; një nga autorët e golave, Neymar, festoi duke kopjuar festimin e Haaland. E gjithë skuadra e PSG-së u bashkua për të bërë pozën "zen" pas përfundimit të ndeshjes. Sipas raportimeve, kjo u bë me qëllim për t'u "hakmarrë" ndaj Haalandit, i cili sipas disa burimeve të pakonfirmuara kishte bërë një status në rrjetet sociale para fillimit të ndeshjes ku e quante Parisin "qyteti i tij". Pavarësisht disa burimeve që raportin se postimi kishte qënë i rremë, Haaland sërisht tha se nuk ishte i shqetësuar nga festimi i lojtarëve të PSG-së, duke deklaruar: "Mendoj se ata më ndihmuan shumë për t'i shfaqur botës meditimin dhe për t'i treguar botës që meditimi është i rëndësishëm kështu që jam mirënjohës."
Statistikat e karrierës
Klube
Redaktuar më 21 gusht 2022
Ndeshjet dhe golat sipas klubit, sezonit dhe kompeticionit
^"Derfor byttet han fra Håland til Haaland" [Arsyeja pse ai ndryshoi nga Håland në Haaland]. Dagbladet (në norvegjisht). 19 shtator 2019. Arkivuar nga origjinali më 3 shkurt 2020. Marrë më 19 dhjetor 2019.
^"Erling Haaland: Overview" [Erling Haaland: Përmbledhje] (në anglisht). ESPN FC. Arkivuar nga origjinali më 27 nëntor 2020. Marrë më 27 nëntor 2020.
^Beren Cross (9 korrik 2018). "Wonderkid Haaland would pick Leeds United over Man Utd every time" [Djaloshi magjik Haalad do të zgjidhte Leeds United para Man Utd në çdo kohë]. Leeds Live (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 16 prill 2021. Marrë më 22 nëntor 2019. Erling Braut Haaland ka lindur në Leeds në korrik 2000, pak kohë pasi babai i tij ,Alf-Inge, u largua nga Elland Road për te Manchester City pas tre vitesh në West Yorkshire.
^ ab"In Profile: Erling Braut Håland" [Në profil: Erling Braut Haaland]. FOTBALLBEN (në norvegjisht). 13 korrik 2018. Arkivuar nga origjinali më 13 korrik 2018. Marrë më 13 korrik 2018.
^ abNicklas König; Maximilian Schmeckel. "Behind Haaland's Unstoppable Rise" [Mbrapa rritjes së pandalshme të Haaland]. Goal.com (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 18 mars 2020. Marrë më 2 shtator 2020.
^"Dortmund sign Man Utd target Haaland" [Dortmund firmos me objektivin e Man Utd Haaland] (në anglisht). Sky Sports. 30 dhjetor 2019. Arkivuar nga origjinali më 29 dhjetor 2019. Marrë më 30 dhjetor 2019.
^"City Complete Haaland Transfer" [City kompleton transferimin e Haaland] (në anglisht). Manchester City F.C. 13 qershor 2022. Marrë më 13 qershor 2022.
^"Erling Haaland" (në anglisht). National Football Teams. Marrë më 25 gusht 2022.
^"G16: Historisk finaleseier" (në norvegjisht). Federata Norvegjeze e Futbollit. 3 shtator 2016. Arkivuar nga origjinali më 21 shkurt 2020. Marrë më 8 mars 2020.
^"Bundesliga Rookie Award" [Çmimi i Fillestarit në Bundesligë] (në anglisht). Bundesliga. Arkivuar nga origjinali më 3 nëntor 2019. Marrë më 10 shkurt 2020.